Ka progres në dialogun Prishtinë-Beograd. Kështu ka deklaruar ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill. Ky i fundit u shpreh se një nga elementët më të rëndësishëm është fakti që Prishtina duhet të themelojë Unionin komunave serbe.
“Ndjej përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Një nga elementët më të rëndësishëm të gjithë kësaj ishte fakti që Prishtina duhet të themelojë Unionin e Serbisë. Sigurisht që ka gjëra të tjera që Prishtina duhet të bëjë, por mendoj se e gjithë kjo çon në një situatë më të mirë me Bashkimin Evropian dhe në fakt kjo mund të shihet si një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit”, tha Hill, raporton Tanjug.
Ambasadori deklaroi se një rol kyç në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, kanë luajtur përfaqësuesit e Brukselit.
Kujtojmë se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi do të jetë në nivel kryenegociatorësh. Kështu në Bruksel do të takohen kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe homologu i tij nga Serbia Petar Petkoviç.