Dhuna e vazhdueshme fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses është bërë arsye për arrestimin e një 48-vjeçari në Mat.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përgëzoi punën hetimore të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë dhe kërkoi nga Gjykata që të veprojë e pakursyer në dënimin e rasteve të tilla.
“Na duhen ndëshkime të ashpra për goditjen e fortë deri në çrrënjosje të dhunës në familje, ku gratë bien viktimë e barbarisë së burrave. Dua ta garantoj çdo grua, çdo vajzë se telefonata apo denoncimi i saj për ndihmë tek Policia e Shtetit është hapi i duhur jetik, për çlirimin nga makthi përpara se sa të jetë shumë vonë dhe për fitoren mbi padrejtësinë ekstreme të dhunës,” njoftoi ministri Balla.
48-vjeçari ushtronte dhunë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, e cila për pasojë trajtohej edhe me mjekim në spitalin psikiatrik në Tiranë.
Për të justifikuar dhunën, i arrestuari kishte paguar një shtetas nga Kosova për ta shëruar, pasi pretendonte se i kishin bërë magji 33-vjeçares.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 380 copë fishekë luftarakë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas informacioneve të siguruara për këtë shtetas, si dhe që mbante armë zjarri apo municion luftarak në banesë, ndërhyri menjëherë për të parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale në familje.
Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i 48-vjeçarit, banues në Burrel dhe i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë.