SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë bërë publike detajet e planit të tyre për të krijuar një flotë të re nëndetesesh që përdorin fuqinë bërthamore, me synim për t’iu kundërvënë ndikimi të Kinës në rajonin indopaqësor. Nën paktin e quajtur AUKUS mes tre vendeve, Australia do të jetë e para që do të marrë të paktën tre nëndetëse me fuqi bërthamore nga SHBA. Aleatët gjithashtu do të punojnë për të krijuar një flotë të re të teknologjisë së lartë, përfshi edhe reaktorë Rolls Royce që prodhohen në Mbretërinë e Bashkuar.
Pekini ka kritikuar fuqishëm marrëveshjen detare. Ministria e jashtme kineze akuzoi të martën të tre vendet që po vijojnë rrugën e gabimeve dhe rrezikut.
Më herët, misioni i Kinës në OKB akuzoi aleatët perëndimorë për pengim të përpjekjeve për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Por presidenti amerikan Xho Bajden tha se marrëveshja mes tre vendeve synonte promovimin e paqes në rajon dhe theksoi se nëndetëset do të përdornin energjinë bërthamore dhe nuk do të ishin të pajisura me armë bërthamore.
Duke folur në krah të kryeministrit britanik Rishi Sunak dhe atij australian Anthony Albanese në San Diego të Kalifornisë, presidenti amerikan tha se marrëveshja nuk do të vinte në rrezik angazhimin e Australisë për të qenë një vend jo bërthamor. Nëndetëset që ai vend do të marrë nga SHBA do të jenë të afta të veprojnë më shpejt sesa flota ekzisutese e vendit e motorve me naftë dhe për të parën herë Australia do të jetë e aftë të ndërmarrë sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj armiqve të saj.
Sipas marrëveshjes trepalëshe, duke filluar nga ky vit, forca të marinës australiane do të dërgohen në bazat britanike dhe amerikane të nëndetësve për t’u trajnuar për nëndetëset që përdorin fuqinë bërthamore. Nga viti 2027, SHBA dhe Britania e Madhe gjithashtu do të dislokojnë një numër të vogël nëndetësesh të tilla në perëndim të Australisë, para se Kanberra të blejë tre nëndetese amerikane të modelit Virvinia në fillim të viteve 2030, me mundësinë për të blerë më pas dy të tjera. Planet synojnë projektimin dhe ndërtimin e një nëndetëseje plotësisht të re për marinat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Australiane, një model që quhet SSN-AUKUS. Ky mjet sulmi do të ndërtohet në Britani dhe Australia sipas një projekti britranik, por për të do të përdoren teknologji nga të tre vendet.