• Gjirokastër

Covid-19/ Maji rikthen rastet në Gjirokastër

Gjirokastra 02 Qershor 2023

Java e dytë e muajit maj ka shënuar edhe rikthimin e Covid 19 në Gjirokastër. Specialistë të Shërbimit Epidemiologjik bëjnë të ditur se rastet kanë qënë të importuara nga vendet fqinje dhe kjo ka ndodhur pikërisht gjatë ardhjes së emigrantëve për të marrë pjesë në votime. Simptomat me të cilat po e kalojnë Covidin janë të lehta, të njëjta pothuajse me ato të gripit stinor, ndaj dhe rekomandohet që të kryhet testi për të përcaktuar diagnozën e saktë.

“Gjatë majit patëm një rritje të lehtë të rasteve me Covid 19. Situatë kjo e njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtu hyjnë rastet me temperaturë , me grip,të cilat vetem testi i Covid i identifikon. Kemi bërë teste që kanë dalë pozitiv. Njerëzit duhet mos t’i nënvlerësojnë këto raste, por të paraqiten pranë mjekut të familjes, pranë qendrave shëndetësore, qoftë edhe pranë laboratorit mikrobiologjik në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për të kryer testet. Kemi vërejtur rreth 10 raste të paraqitura këtu, por duke marrë parasysh edhe kontaktet sigurisht që janë edhe më shumë. Më të larta shifrat kanë qënë në periudhën e ardhjes së emigrantëve për votime. Pra, rastet janë të importuara nga shtetet fqinjë.”- thotë Vasil Bashari, punonjës i Shërbimit Epidemiologjik.

Vetëm para dy ditësh janë diagnostikuar me Covid 19 6 raste, bëjnë të ditur burime nga Shërbimi Epidemiologjik, i cili përveç testeve për Covid, ofron edhe ato për gripin të tipit A dhe B.