Kryerja e Check – Up –it është kthyer në kulturë qytetare për banorët e Njësisë Administrative Cepo. Burime pranë qendrës shëndetësore të kësaj zone bëjnë të ditur se grupmosha 35-70 vjeç ka paraqitur interes për kryerjen e rregullt të paketës së analizave dhe testeve që ofrohen falas. Sipas mjekes Rovena Puci, është arritur që përmes tij të zbulohen forma të fshehura të sëmundjeve, për të cilat pacientët nuk kanë qënë në dijeni më parë. Këtij kontrolli gjatë 2022 i janë nënshtruar 292 persona nga 305 të planifikuar.
“Në zonën tonë, në Qendrën Shëndetësore Cepo ka pasur interesim nga ana e banorëve për kryerjen e Check-Up-it. Ne si mjekë dhe si infermierë kemi për detyrë të nxisim popullsinë e grupmoshës 35-70 vjeç për kryerjen e paketës së analizave. Janë disa arsye pse duhet të kryhet kontrolli shëndetësor bazë. Përmes tij arrijnë të zbulohen sëmundje që ndoshta mund të jenë të fshehura dhe në një etapë të caktuar të jetës ato shfaqen. Mund të jenë sëmundje të trashëguara, që lidhen me stilin e jetesës, me mënyrën e të ushqyerit, jetën sedentare. Gjatë vitit 2022, nga kjo grupmoshë e kanë kryer këtë kontroll 292 persona nga 305 të planifikuar. Ne kemi arritur, që përmes testeve e analizave, të zbulojmë një sërë sëmundjesh për të cilat pacientët nuk kanë pasur dijeni më parë si diabet melitus, niveli i kolesterolit të lartë në gjak, sëmundje këto të shpeshta në këtë komunitet. Pas evidentimit të këtyre sëmundjeve pacientët i kemi rekomanduar te mjeku specialist.”, thotë mjekja e Qendrës Shëndetësore Cepo, Rovena Puci.
Kontrolli shëndetësor bazë ka nisur të ofrohet në Gjirokastër që prej vitit 2015 e vijon rregullisht në të 13 qendrat shëndetësore në të tre bashkitë, Gjirokastër, Libohovë e Dropull.