• Lajme kombëtare

Çështja Beleri/ Xhaçka takon Dendias: S’ka vend për ndërhyrje politike nga Greqia. BE të na mbështesë për rritjen ekonomike

Gjirokastra 23 Maj 2023

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka rikonfirmuar në Bruksel qëndrimin e Shqipërisë për arrestimin e kandidatit fitues të Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri, duke u shprehur edhe njëherë se Greqia nuk duhet të ndërhyjë në çështjet ligjore të vendit tonë, dhe se lufta kundër fenomentit të shit-blerjes së votës është një prej rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Gjatë takimit që ka zhvilluar me homologun grek Nikos Dendias në Bruksel, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe rajonit,  Xhaçka i ka shprehur dëshirën që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, Shqipëria dhe Greqia të vazhdojnë bashkëpunimin miqësor.

Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.

Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare”, tha Xhaçka.

Një tjetër temë që ishte kryefjalë e takimit, kishte të bënte me ndihmën financiare që Ministrja Xhaçka kërkoi nga BE për rritjen ekonomike dhe mbrojtjen kibernetike.

“Së dyti, stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare.

Së treti, në situatën e pasigurtë gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike”, shtoi Ministrja.

Xhaçka sqaroi së në takimin e zhvilluar mes ministrave në Bruksel u bë i qartë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e sajnë Ukrainë dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas.

“Shqipëria rikonfirmoi pozicionin e saj të palëkundur për linjëzimin e plotë me vendimet e Bashkimit Evropian, duke u bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrojtëse e vlerave të përbashkëta evropiane, gjë për të cilën u përgëzuan edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrel dhe nga vendet anëtare të BE.

Në këtë situatë sigurie në Evropë, stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar. Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE”, theksoi Ministrja.