118 studentë të universitetit “Eqrem Cabej” trajtohen me bursë mujore për këtë vit akademik. Është pagesë prej 10 mijë lekësh që e përfitojnë nga grandi i qeverisë ndërkohë që njëherazi ata janë të përjashtuar edhe nga tarifa e studimit. Për Endrin, student në vitin e dytë është një ndihmesë për të dhe familjen.
“Jam student në vitin e dytë infermieri. Prej dy vitesh përfitoj pagesën 10 mijë lekë. Gjithashtu jam i përjashtuar nga tarifa e shkollimit. Eshtë goxha lehtësi për familjen time, pasi pothuajse kostoja ime e shkollimit është 0.” – thotë Endri Xhakollari.
Burime nga rektorati bëjnë të ditur se aplikimet zgjatin gjatë gjithë vitit akademik dhe janë disa kritere mbi të cilat përcaktohen edhe përfituesit.
Këta studentë duhet të frekuentojnë sistematikisht procesin mësimor. Ky është kushti që ata duhet të plotësojnë për të qënë përfitues të rregullt të bursës mujore gjatë gjithë vitit akademik. Në ciklin e dytë të studimeve nuk aplikohen bursa, por për këtë kategori që përfiton në bachelor përgjysmohet tarifa e studimit, ndërsa ekselentët vazhdojnë të studiojnë pa pasur asnjë detyrim financiar ndaj këtij institucioni akademik.
Bursat studimore u ofrojnë të rinjve mundësinë për të marrë një arsim të lartë duke zbutur pengesat financiare. Për këtë vit akademik në universitetin e Gjirokastrës deri tani kanë përfituar pagesën prej 10mijë lekësh 118 studentë ndërkohë që aplikimet vijojnë.