• Lajme nga bota

Britania do të mbajë samitin e parë për AI, Sunak: Të shfrytëzohen për të mirën e njerëzimit

Gjirokastra 08 Qershor 2023

Britania do të mbajë samitin e parë në botë të sigurisë së inteligjencës artificiale (AI)  gjatë këtij viti.

Ka pasur një sërë paralajmërimesh në lidhje me kërcënimin potencial ekzistencial që AI paraqet për njerëzimin. Kryeministri Rishi Sunak tha se ai dëshironte që Mbretëria e Bashkuar të udhëheqë përpjekjet për të siguruar që përfitimet e AI të shfrytëzohen për të mirën e njerëzimit.

“Inteligjenca artificiale ka një fuqi të jashtëzakonshme për të transformuar jetën tonë për mirë. Por ne duhet të sigurohemi që do të zhvillohet dhe përdoret në siguri të plotë. Gjatë historisë ne nuk kemi reshtur së krijuari teknologji të reja revolucionare që i kemi përdorur për të mirën e njerëzimit. Kjo është ajo që duhet të bëjmë përsëri”, tha Sunak në margjinat e vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të takohet sot me presidentin amerikan, raporton BBC.

Biden dhe Sunak, të cilët do të takohen sot për herë të katërt në 4 muaj, do të punojnë për të koordinuar qasjet e tyre ndaj teknologjive kritike dhe në zhvillim me qëllim të forcimit të sigurisë së tyre ekonomike, thanë zyrtarët britanikë dhe amerikanë.

Sunak planifikon të zhvillojë bisedime me Biden në lidhje me marrëdhëniet MB-SHBA dhe mënyrat se si të dy vendet mund të punojnë së bashku për të forcuar ekonomitë e tyre dhe për të çimentuar “udhëheqjen e tyre të përbashkët në teknologjitë e së ardhmes”, vuri në dukje gjithashtu qeveria britanike.

Samiti do të shqyrtojë rreziqet e inteligjencës artificiale dhe do të diskutojë se si ato mund të zbuten përmes veprimeve të koordinuara ndërkombëtarisht, tha qeveria britanike në një deklaratë.

Bashkimi Evropian po formulon një Akt të Inteligjencës Artificiale, por ka pranuar se edhe në skenarin më të mirë do të duhen dy vjet e gjysmë për të hyrë në fuqi.