• Tepelenë

Bilanci tragjik/ Rritet numri i viktimave, më shumë se 21 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Gjirokastra 10 Shkurt 2023

Më shumë se 21,000 persona kanë humbur jetën nga tërmeti apokaliptik në Turqi dhe Siri. Numri i vdekjeve në Turqi është rritur në 18,342, dhe 3377 në Siri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 21,719.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë prej ditësh kërkimet për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja, ndonëse temperaturat e ulëta, acari dhe ngricat e vështirësojnë punën e tyre. Por kalimi i 72 orëve, ka zbehur shpresat për gjetjen e të mbijetuarve. Tërmeti që goditi dy vendet më 6 shkurt, është konsideruar si “katastrofa e shekullit” dhe në këtë kuadër, ndihmat ndërkombëtare nuk kanë munguar.

Të enjten, Banka Botërore premtoi 1.78 miliardë dollarë ndihmë për Turqinë, duke përfshirë financimin e menjëhershëm për rindërtimin e infrastrukturës bazë dhe mbështetjen e të prekurve nga tërmetet. Por përpjekjet e 100,000 ose më shumë personel kërkim-shpëtimi po pengohen nga një numër pengesash logjistike, duke përfshirë mungesat e automjeteve dhe rrugët e shkatërruara.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se shtrirja e plotë e katastrofës ishte ende “duke u shpalosur para syve tanë”, veçanërisht në Siri, ku një luftë civile e gjatë ka shkatërruar vendin.

Të enjten, ndihma e parë humanitare e OKB-së kaloi kufirin në Sirinë veri-perëndimore përmes vendkalimit Bab al-Hawa të Idlib. Kalimi është e vetmja mënyrë që ndihma e OKB-së mund të arrijë në rajon pa udhëtuar nëpër zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare siriane.

Guterres premtoi se më shumë ndihmë ishte në rrugë e sipër dhe ai i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të lejonte dërgimin e furnizimeve përmes më shumë se një kalimi kufitar. “Ky është momenti i bashkimit, nuk është momenti për të politizuar apo për të përçarë, por është e qartë se ne kemi nevojë për mbështetje masive”, tha ai.