• Lajme kombëtare

Bilali: Punonjësit digjital nuk do jenë rezidentë tatimorë, krijojmë Agjencinë e Start Up-eve

Gjirokastra 17 Mars 2023

Qeveria miratoi sot (17 mars) ndryshimin e ligjit për mbështetjen dhe zhvillimin e Start Up-eve. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka bërë me dije se nëpërmjet këtyre ndryshimeve, nomadët digjitalë, do të kenë të drejtën që për një vit të punojnë nga Shqipëria për të gjithë botën. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 100 nomadë.

“Miratuam ndryshimin e ligjin për mbështetjen dhe zhvillimin e Start UP-eve. Ndryshimet kryesore në këtë ligj bëhen për efekt të përfshirjes së një koncepti që janë nomadët digjitalë, ose e thënë ndryshe, punonjës që shfrytëzojnë teknologjinë për të mos punuar nga vend fiks, por lëvizin në gjithë botën dhe punojnë për të tretë. Është një iniciativë që është përqafuar në shumë vende të botës.  Në Shqipëri, aktualisht janë rreth 100 nomadë që operojnë.

Dhe tashmë, nëpërmjet rregullimit ligjor, ato nuk do të konsiderohen rezidentë tatimor, dhe do kenë të drejtën që deri në një vit të punojnë nga Shqipëria për të gjithë botën”, tha Bilali.

Po ashtu, një tjetër ndryshim në këtë ligj, konsiston në krijimin e Agjencisë së Start Up-eve, dhe synimi i qeverisë është që këtë vit, të rritet eficensa dhe të shkurtohet koha e disbursimit të granteve.

“Ndryshimi tjetër konsiston në krijimin e Agjencisë së Start Up-eve, që kjo vjen si iniciativë e re pas përfitimeve që pamë nga investimi i vjetshëm. Synojmë që këtë vit nëpërmjet agjencisë të rrisim efiçencën dhe të shkurtojmë kohën e disbursimit të granteve. E shohim si efikas këtë target grup me potencial shumë të madh për Republikën e Shqipërisë”, tha Bilali.