• Gjirokastër

“Biblioteka Shëtitëse”, Një mundësi më shumë për fëmijët e zonave rurale 

Gjirokastra 10 Tetor 2023

“Biblioteka Shëtitëse”, është nisma e ndërmarrë nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Fato Berberi”në kuadër të tetorit të letërsisë në Gjirokastër. Libra nga fondi i bibliotekës për fëmijë “Tasim Gjokutaj” ,duke nisur nga dita e sotme, kanë filluar të shpërndahen në shkolla të ndryshme të fshatrave, duke iu dhënë mundësinë fëmijëve të përzgjedhin mes titujve të rinj. Ishin nxënësit e shkollës së fshatit Asim Zeneli që përfituan të parët duke u çelur edhe kartelat e para të “Bibliotekës Shëtitëse”.

“Në kuadër të muajit tetor , muajit të letërsisë, Qendra kulturore e fëmijëve ka ndërmarrë një nismë të re e cila ka të bëjë me bibliotekën që funksionon pranë kësaj qëndre. Biblioteka jonë është më e pasur me tituj librash për fëmijë, të cilëve u shërbejnë edhe në procesin mësimor. Kjo nismë fokusohet më tepër në fshatrat e Gjirokastrës të cilët e kanë pak më të vështitë për tu bërë pjesëtarë të bibliotekës për fëmijë “Tasim Gjokutaj”. Me këtë rast, ne menduam që herë pas here të organizojmë “Bibliotekën Shëtitëse”. Sot ndodhemi në fshatin Asim Zeneli. Kemi sjellë disa tituj të rinj për tu ardhur më pranë, për tu dhënë mundësinë që të kenë një gamë më gjerë librash , të njihen me letërsinë për fëmijë dhe sigurisht mësuesve të letërsisë që zhvillojnë bisedat letrare”,- thotë instruktorja Arlisa Gushi.

Bibliotekës së kësaj shkolle iu dhuruan edhe dy botime “Kadareja dhe Gjirokastra”, realizuar nga forografi Roland Tasho. Aktiviteti i radhës nga Qendra Kulturore “Fato Berberi” do të jetë “Miku i vogël i librit”.