Edhe gjate sezonit te verës Biblioteka Apostol Meksi funksionon rregullisht duke u shërbyer lexuesve në çdo ditë të javës. Frekuentuesit më të rinj gjatë kësaj periudhe janë nxënësit e shkollave 9 vjeçare e të mesme të cilët janë të interesuar për librat e përfshirë në programin mësimor, por nuk mungojnë edhe kategori të tjera që sipas përgjegjësit Alban Matushaj preferojnë që gjatë ditëve të verës librin ta kenë shoqëruesin e tyre të pandarë.
“Gjatë këtyre ditëve në bibliotekën tonë ka pasur një frekuentim të mirë të lexuesve, të moshave të ndryshme dhe profesioneve të ndryshme. Janë, kryesisht, nxënës të fokusuar te librat e programit mësimor por edhe të tjerë që kanë dëshirë që këto ditë vere t’i kalojnë nën shoqërinë e librit. Kemi nxënës të të dyja cikleve 9 vjeçar e të mesëm që marrin programin mësimor dhe sezonin e verës e shfrytëzojnë për t’u përgatitur”, – shprehet Alban Matushi, përgjegjës i bibliotekës.
Matushi përmes mikrofonit të RTSH Gjirokastra shpreh edhe problematikën kryesore me të cilën përballet ky institucion, atë të dorëzimit të librave në afatin e përcaktuar.
“I bëj thirrje lexuesve që të jenë korrekt me kthimin e librave, sepse kjo sjell vështirësi në plotësimin e kërkesave sidomos të nxënësit. Mosdorëzimi i librave në kohën e duhur sjell pengesa në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni, pasi nuk arrijmë t’u përgjigjemi kërkesave të lexuesve.Ka lexues që kanë vite që nuk i kanë dorëzuar librat e tërhequr, por ka edhe të rinj që nuk janë korrekt në këtë pikë”, – thotë Matushi.
Biblioteka “Apostol Meksi” ka në fondin e saj 120 mijë ekzemplarë ku përfshihen libra artistikë, filozofikë, psikologjik , nga shkencat e natyrës, nga fusha e folklorit biografi etj. Përveç furnizimit të përvitshëm me fonde nga bashkia, biblioteka e Gjirokastrës pasurohet edhe përmes dhurimeve nga poetë shkrimtarë, por edhe nga institucione apo organizata të ndryshme. Që prej fillimit të vitit nga donatorë të ndryshëm fondit të saj i janë shtuar rreth 500 libra.