Komisioni Evropian do të sigurojë një paketë shtesë prej 100 milionë euro për pesë vende të ‘vijës së parë’ të BE-së fermerët e të cilëve po përballen me presionin e rritjes së importeve të grurit ukrainas.
Masa u mor nga BE pas vendimeve të njëanshme nga Polonia, Hungaria dhe Sllovakia për të ndaluar importin e mallrave bujqësore nga Ukraina në fillim të javës.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen iu drejtoi një letër liderëve të Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, duke pranuar shqetësimet që ata shprehën për ndërprerjen e shkaktuar nga importet e shtuara nga Ukraina.
“Tani po përgatitemi të paraqesim një paketë të dytë të mbështetjes financiare prej 100 milionë euro dhe një normë bashkëfinancimi 200%, për fermerët e prekur, si pjesë e një qasjeje të përbashkët evropiane”, tha Von der Leyen në letër.
Sipas një zyrtari të lartë të Komisionit, disa shtete anëtare u ankuan në samitin e fundit të BE-së se paketa e parë nuk ishte e synuar mirë për të kompensuar plotësisht fermerët për humbjet e mundshme që ata kanë pësuar, duke shtuar se fermerët nga ‘vendet e tjera të vijës së parë’ po vuajnë gjithashtu.
“Presidenti i Komisionit mendoi se ato vende që po mbështesin Ukrainën në këtë situatë të vështirë nuk duhet të vuajnë. Pra, ne vendosëm të miratojmë një vendim plotësues”, tha zyrtari i lartë.