Ekonomia botërore, sipas të gjitha parashikimeve, pritet të ngadalësohet ndjeshëm gjatë vitit 2023. Kjo, për shkak të normave të larta të interesit, të nxitura nga pushtimi rus i Ukrainës, si dhe nga efektet e vazhdueshme të pandemisë së koronavirusit.
Ky është parashikimi më i fundit e Bankës Botërore, e cila vlerëson se ekonomia ndërkombëtare do të rritet me vetëm 2.1% në 2023, pas rritjes 3.1% që pati në 2022.
Duke folur me gazetarët të martën, Indermit Gill, kryeekonomisti i Bankës Botërore, i quajti gjetjet e fundit “një tjetër parashikim i zymtë”. Banka, tha ai, pret që “ngadalësimi i vënë re gjatë vitit të kaluar të vazhdojë edhe këtë vit”.
“Deri në fund të vitit të ardhshëm, një e treta e botës në zhvillim nuk do të arrijë të përmbushë nivelin e të ardhurave për frymë që kishte në fund të vitit 2019,”- tha ai.
Megjithatë, raporti i fundit i bankës për Perspektivat Ekonomike Globale shënon një përmirësim nga parashikimi i saj i mëparshëm në janar. Ky vlerësim kishte parashikuar një rritje botërore me vetëm 1.7% këtë vit.
Rezerva Federale dhe bankat e tjera qendrore të mëdha kanë rritur në mënyrë agresive normat e interesit për të luftuar një rigjallërim të inflacionit, i nisur nga një rikthim më i fortë se sa pritej për shkak të recesionit nga pandemia, mungesat e vazhdueshme e furnizimit dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.
Por ekonomia globale është treguar çuditërisht elastike përballë kostove të larta të huamarrjes. Banka Botërore parashikon që rritja të përshpejtohet në 2.4% në 2024.
Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të gjenerojnë fitime të mëdha dhe të rrisin numërin e vendeve të punës. Vetëm në muajin maj u shtuan 339,000 vende pune, shumë më tepër nga sa kishin parashikuar ekonomistët.
Eurozona, e cila përfaqëson 20 vendet që kanë monedhën euro, pritet të ketë rritje kolektive prej 0.4% këtë vit. Edhe kjo shënon një përmirësim të lehtë. Në janar, Banka Botërore nuk kishte pritur rritje për eurozonën për 2023. Evropa, e cila u përball me çmime të larta të energjisë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, u ndje më e lehtësuar, pasi kaloi një dimër çuditërisht të ngrohtë. Kjo bëri që të ulej kërkesa për ngrohje. Apnews