• Lajme kombëtare

Balla për operacionin në Maliq: Policia zbatoi ligjin

Gjirokastra 12 Gusht 2023

Duke e konsideruar një veprim të justifikueshëm dhe në mbrojtje të jetës së oficerëve të policisë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka falënderuar forcat e rendit pas ngjarjes në Maliq, që përfundoi të shtunën me ekzekutimin nga policia të një 62-vjeçari.

Ramiz Muçollari nuk pranoi t’u dorëzohej forcave RENEA, të cilat po tentonin të negocionin për të pushuar të shtënat në drejtim të tyre.

62-vjeçari, i rënduar nga shëndeti mendor, më herët gjatë mbrëmjes së djeshme kishte dhunuar e plagosur me thikë gruan dhe djalin e tij.

Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin,” tha Balla në një reagim në Facebook.

Balla bëri apel për denoncimin e dhunës në familje, si në rastin e Maliqit.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën,” e përfundoi postimin Balla.