• Sport

Bagnaia kërkon fitore të tjera

Gjirokastra 15 Qershor 2023

Pas Çmimit të madh të Italisë, MotoGP shkon në Gjermani. Në cirkuitin ikonik, në të cilin, vitin e kaluar, Francesco Bagnaia arriti pikën më të ulët të sezonit, me -91 pikë larg Quartararos, për të ardhur më pas me rikuperimin heroik në renditje. E pikërisht në Sachsenring, piloti i Dukatit do të kërkojë vazhdimësinë në këtë botëror, me 3 fitore në gara dhe po aq në garat sprint.

“Fundjava në Mugello ishte me të vërtetë perfekte dhe më ka dhënë guximin e duhur për të përballuar me sukses edhe Çmimin e Madh të Gjermanisë” – ka thënë Bagnaia. Piloti i Dukatit është i vetëdijshëm se edhe paraqitja e motorit të tij është shumë e mirë dhe e ka ndihmuar mjaft për të arritur rezultatet. “Sigurisht që e ndjej se motori ka një qëndrueshmëri më të madhe në këtë sezon. Gjë që më ka ndihmuar të bëj diferencën me konkurrentët e tjerë. Shpresoj shumë që të ruaj këtë njëtrajtshmëri edhe në Sachsenring, ku objektivi është gjithnjë i njëjtë. Të fiton sprintin dhe garën e së dieës”.

I rikthyer nga dëmtimi në shpatull dhe ende jo në 100% të formës së tij, Enea Bastianini, piloti tjetër i Dukatit shpreson për një garë të mirë në Gjermani: “Jam i bindur se do të kthehem shumë shpejt në pistë me të gjithë potencialin tim. Fundjava në Mugello ishte pozitive dhe nuk e mendoja se do të arrija një rezultat aq të mirë. Kam ende punë për t’u rikthyer në 100% të formës time, por Sachsenring është një cirkuit më i lehtë se ai në Mugello. Ndaj mund të arrij të bëj më mirë në Çmimin e madh të Gjermanisë” – ka thënë piloti italian.