Anastas e Melola Karaj janë babë e bijë, të cilët në këtë festival erdhën së bashku si artistë të Grupit të Shpatit të Sipërm, pjesë e Ansamblit të Qarkut Elbasan. Ajo cka na ra në sy te Melola ishte kostumi që kishte veshur i cili sipas saj është mbi një shekullor trashëguar nga gjyshja dhe plotësuar nga e ëma në disa pjesë të tij, por gjithmonë bazuar te origjinali.
“Ky kostum është më shumë se njëqind vjecar. Gjyshja ime e ka patur kur ishte që e re. Është një kostum i përbërë nga lëndë leshi, ildisur me dorë. Është kostum i rëndë , por i bukur dhe nga më të vecantët e zonës së Shpatit. Shumë me vlera për mua që e kam trashëguar. Është pothuajse e pamundur të bësh sot një të tillë dhe është për të ardhur keq. Mamaja ime është munduar ta risjellë, apo ta imitojë sic janë mëngët të punuara me shtiza apo zbukurime të tjera që me kalimin e kohës janë zhdukur, por është në detaje origjinal sic ka qënë në atë kohë.
Përbëhët nga mbathjet, fustanella, xhoka, mëngët, jelekët, edhe brezi që është ndër më të vjetërit. Këto janë origjinale, të trashëguara nga gjyshja. Shumë pak janë të imituara nga nëna ime, për të plotësuar gjithë kostumin origjinal sic ka qënë.Pa harrur edhe corapet të punuara me shtiza. Është e pamundur të konsiderohet kostumi pa to dhe opingat me xhufga të cilat janë origjinale.”, thotë Melola Karaj, artiste e grupit të Shpatit.
Për kostumin e tij na tregon edhe Anastasi i cili mund t’i ketë munguar ndonjëherë këtij eventi, por ka qenë pjesë e tij në edicionin e 1968.
“Ky kostum është ribërë në vitin 1984 nga punishtja e Tiranës në atë kohë, por i modeluar nga trashëgimia e vjetër. Përbëhet nga dhjetë pjesë që nga opingat e deri te qeleshja. Të gjitha prej leshi, me përjashtim të fustanellës, e përpunuar atëherë me fije liri. Këto dëshmohen në pikturën e Onufrit te bariu shpatarak e cila është origjinale.”, shprehet Anastas Karaj, pjesëmarrës në festival që prej vitit 1968.
Babë e bijë këndojnë së bashku si anëtarë të Grupit Të Shpatit të Sipërm që prej vitit 1995. Këtë edicion ky grup solli në kalanë e Gjirokastrës dy këngë shekullore : “Legjenda e Zarës”, dhe “Fyelli i Tanës”. Të dyja këto numra vijnë për herë të parë në këtë event dhe vlerësohen si prurje.