Nga shkolla e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër ministrja e turizmit Mirela Kumbaro vendosi theksin tek nevoja që ka tregu shqiptar për profesionistë në disa profile, ndërkohë që institucionet arsimore profesionale nuk i përmbushin kërkesat pasi prurjet e nxënësve, në to, janë të ulëta.
Si zgjidhje të këtij ngërçi, Kumbaro nënvizoi orientimin e të rinjve që përfundojnë 9 vjeçaren me notë mesatare të ulët drejt arsimit profesional, si një mundësi e mirë, dhe për ta, për tu integruar shpejt në tregun e punës.
“Ajo që na ndodh është që midis numrit të nxënësve të regjistruar në një shkollë profesionale dhe nevojave që ka tregu për disa profile ka një kontrast të cuditshëm. Ndërkohë që tregu kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë, të regjistruar në shkolla ka pak.
Një nxënës që shkon drejt gjimnazit me notë 5 ose 6 e di shumë mirë që nuk do fitojë ndonjë gjë të madhe se do dalë pa asnjë zanat. Pra, është kjo kategori e cila e ka të ulët shansin për të shkuar në universitet. Ata duhet t’i orientojmë drejt shkollave profesionale sepse do dalin me një zanat dhe tregu mezi i pret. Pra, na duhet të bëjmë një përmbysje të madhe mentalitetesh. Tregu i ShqipërisË është shumë i qartë. Jemi të orientuar drejt profesioneve , drejt turizmit bujqësisë dhe këto lloj profilesh që ju ofroni janë shumë të kërkuara”,- tha Kumbaro
Më tej Kumbaro u ndal edhe pranë Qendrës së Formimit Profesional për të folur me kursantët dhe shefat që e drejtojnë kursin e kuzhinës, ku e ka veçuar këtë profesion si më të rëndësishmin nga të gjithë ata që përfshihen në zinxhirin e turizmit.
Shkolla ”Thoma Papapano” ofron katër drejtime kryesore, “Shërbime në mjete transporti”, “Elektroteknikë”, “Hidraulikë” dhe “TIK”. Ndërsa pranë Qendrës së Formimit Profesional në Gjirokastër, të interesuarit mund të zgjedhin mes 33 kurseve që funksionojnë në të.