Alergjitë dhe gripërat stinorë janë dy situatat patologjike më të shpeshta në këtë periudhë. Kjo bëhet e ditur nga mjeku Rovin Laro i cili fokusohet tek alergjitë të cilat sipas tij janë të përhapura tek të gjitha grupmoshat.Me mbivendosjen e gripit, siç sqaron Laro, te kjo kategori pacientësh situata bëhet edhe më komplekse.
“Janë të përhapura në çdo moshë duke nisur nga ato pediatrike , të ekspozuara edhe më tepër nga lojrat që bëjnë në natyrë. Më problematike është situata te personat që janë aktualisht astmatikë dhe në sezon të tillë përkeqësohen dhe krizat e astmës sepse dihet që astma bronkiale është një sëmundje me natyrë alergjike.Kjo periudhë ndikon edhe si nxitëse ose faktor dëmtues për të. Megjithatë, me mbajtjen parasysh të këshillave të shmangies së poleneve apo ekspozimit të shtuar të alergenëve dhe kryerjes në rregull të terapisë është e mundur që simptomat të mbahen të kordinuara dhe brenda parametrave jo shqetësues. Nuk janë për t’u përjashtuar edhe gripërat stinorë, të cilët në një terren alergjik krijojnë vështirësi për kryerjen e një diagnoze diferenciale.”, thotë Laro
Mjeku Laro përcjell edhe këshillat që duhen të ndiqen në mënyrë rigoroze nga personat alergjikë.
“Individët alergjikë të bëhen mjekët e vetes, për të ditur dhe shmangur ekspozimin ndaj alergenëve që ata i shqetësojnë. Duhet të paraqiten te mjeku për të marrë mjekim dhe për çdo shqetësim që kanë në mënyrë që ta shmangin për të mos dëmtuar cilësinë e tyre të jetës. Fokus i veçantë vjen për ata persona astmatikë. Të jenë të kujdesshmëm në përdorimin e pompave respiratore për të shmangur përkeqësimin e situatës së tyre shëndetësore.” , përfundon mjeku Rovin Laro.