• Gjirokastër

398 maturantë gjirokastritë po përgatiten për provimet e MSH

Gjirokastra 30 Mars 2023

Ethet dhe emocionet i kanë pushtuar, edhe pse duhen dy muaj që të nisë sezoni i provimeve. Këtë shohim dhe ndiejmë ndërsa bisedojmë me maturantë të shkollave të Gjirokastrës. Ky brez është ai që nuk ka eksperincë as nga provimet e lirimit të cilat u pezulluan  për shkak të pandemisë dhe këtë e theksojnë teksa prononcohen  për mikrofonin tonë. Gjithsesi të rinjtë shprehen se po punojnë fort duke u bërë pjesë edhe e konsultimeve të organizuara nga shkollat, duke u fokusuar tek lëndët që ata do të testohen.

“Pjesa më e madhe e përgatitjes bazohet në ato lëndë që kërkojnë më shumë punë si matematika apo edhe lëndët me zgjedhje. Unë personalisht kam zgjedhur biologjinë që ka shumë volum dhe që më nevojitet shumë punë, ndërsa për anglishten e kam më të lehtë. Që prej fillimit të muajit mars kemi nisur edhe konsultimet, të cilat i bëjmë pas përfundimit të procesit mësimor. Deri tani na kanë ndihmuar shumë.”- tha- një maturante.

“Duke qënë se nuk kemi kryer as provimet e lirimit, na mungon ajo eksperienca e mënyrës sesi zhvillohet procedura. Megjithatë po organizojmë herë pas here teste, paraprovime për t’u përgatitur sa më mirë për këto provime. Fokusi im është te lënda e biologjisë, por nuk lë pas dore edhe lëndët e tjera. Në orët e konsultimeve me mësuesit, qartësohemi tek ato pika që kemi paqartësi.”, – tha maturanti.

Provimeve të maturës shtetërore 2023 në Gjirokastër e Libohovë do t’i nënshtrohen 398 maturantë. Ashtu siç është publikuar edhe nga MInistria e Arsimit ato do të startojnë me atë të anglishtes, i cili do të zhvillohet më 1 qershor. Provimi i dytë do jetë për gjuhën shqipe dhe letërsinë, i cili është vendosur të zhvillohet me 7 qershor. Provimi i matematikës, është provimi i tretë për maturantë dhe do zhvillohet më datë 13 qershor. Lënda me zgjedhje do të përmbyllë dhe testimet e maturës shtetërore më datë 19 qershor.