21 marsi është Dita Botërore e të gjithë njerëzve që vuajnë Sindromën Down. Është një sëmundje gjenetike që është shtuar kohët e fundit duke u kthyer në një problematikë të shëndetit publik, për arsye se fëmijët lindin me disa çrregullime të cilat i mbartin gjithë jetën.
“Këta fëmijë kanë disa problematika, pasi kromozomi shtesë, i quajtur 21, sjell një varg çrregullimesh të ndryshme si kokë të rrafshët, fytyrë të verdhë, sy të vegjël, gjuhë të madhe, artikulacionet e duarve i kanë të fryra, probleme me shikimin, dëgjimin , çrregullime të funksionit të zemrës. Të gjitha këto janë forma që hasen te sindroma Down. Sigurisht që një nënë që ka lindur një fëmijë Down duhet të marrë një lloj këshillimi, që quhet këshillimi gjenetik dhe kryhet nga specialistët gjenetistë, të cilët pasi e kanë përcaktuar formën e Sindromës Down i japin këshillat e nevojshme ciftit mbi mënyrën se si do ta menaxhojë këtë sëmundje te fëmija gjatë jetës.”, thotë specialisti i shëndetit publik, Bledar Ahmetaj.
Shanset për të pasur një fëmijë me këtë sindromë rriten duke u rritur edhe mosha e nënës. Sipas statistikave te mosha 20 vjeçare mund të ndodhë 1 në 1600 raste, te 25 vjeçaret 1 në 1300 raste, te moshat 30 vjeçare 1 në 1000 raste, te 35 vjeçaret 1 në 365 raste, te 40 vjeçaret 1 në 90 raste dhe në moshën 45 vjeçare mundësitë për të patur një fëmijë me Sindromën Doën rriten duke shkuar 1 në 30 raste.
“Një çift para se të vendosë të lindë fëmijë duhet të marrë në konsideratë moshën e tij sepse mosha biologjike ka shumë rëndësi për femrat. Lindja e parë duhet të ndodhë para moshës 35 vjeç, por gjithsesi gjatë shtatzanisë duhet të bashkëpunojë ngushtë me mjekët gjinekologë, të cilët duhet t’u rekomandojnë edhe analizat specifike të cilat përcaktojnë riskun nëse fëmija mund të lindë apo jo me Sindromën Dawn. Lindja e një fëmije me Sindromën Down nuk është fundi i botës. Principet e gjithëpërfshirjes, qoftë në edukimin e këtij fëmije qoftë në mënyrën se si ai rritet, ushqyerja, higjena, kontrollet e vazhdueshme mjekësore, përbëjnë një premisë të mirë për rritjen e këtij fëmije për përmirësimin e autonomisë personale. Pra ky fëmijë duhet të mësojë disa shprehi që duhet t’i përdorë si ushqyerja, sjellja me njerëzit, veprime të ndryshme, por edhe në shkollë duhet të marrë një edukim të personalizuar për të qënë i gatshëm të përballohet me sfidat e jetës.”, përfundon Ahmetaj.
Shifrat zyrtare nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor bëjnë të ditur se në Gjirokastër mbartin simptoma të Sindromës Down 22 persona, 13 meshkuj e 9 femra.