Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim këtë të mërkurë (5 maj) me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadoren e BE, Christiane Hohmann ku u diskutua në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në një postim në Twitter, teksa publikon foto nga takimi, Celibashi shkruan se diskutoi me ambasadoret në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, blerjen e votave, transparencën e financimit të zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve që do të konkurrojnë për t’u zgjedhur.
Sipas Celibashit, Kim dhe Hohmann theksuan se zgjedhjet e 14 majit do të jenë një tregues për avancimin e demokracisë shqiptare dhe se do të kenë vëmendje maksimale nga ndërkombëtarët.
“Në KQZ sot me ambasadoren e BE në Shqipëri, Christiane Hohmann dhe ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, diskutuam për përgatitjet për Zgjedhjet Lokale të 14 Majit 2023 , keqpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatën, blerjen e votave, transparencën e financimit të zgjedhjeve dhe integritetin e kandidatëve që do të konkurrojnë për t’u zgjedhur. Ambasadorët Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 majit janë një lakmus i vërtetë për avancimin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë drejt këtyre zgjedhjeve. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kjo periudhë parazgjedhore e vitit 2023 tregon një dyfishim të subjekteve shtetërore që raportojnë në KQZ. Kemi ndalim të rreth 20 ngjarjeve publike dhe trefishin e numrit të sanksioneve të KQZ-së. I sigurova ambasadorët Kim dhe Hohmann se KQZ do të mbetet etikisht e paanshme dhe do të funksionojë vetëm në përputhje me ligjin. I shpreha mirënjohjen time ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së për mbështetjen e tyre të fortë dhe të vazhdueshme dhe kontributet e tyre në institucion”, shkruan Celibashi.
Në një intervistë dje për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim tha se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Kjo, tha ambasadorja, përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Pritshmëritë e Uashingtonit, tha ambasadorja Kim, janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.